Parandalimi i pastrimit të parave – Trajnimi i Bankës së Shqipërisë me institucionet financiare jobanka
Banka e Shqipërisë nё bashkёpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi trajnimin dyditor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues nga rreth 44 institucione financiare jobanka, shoqëri kursim-krediti dhe zyra të këmbimit valutor.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të detyrimeve ligjore dhe nismave e aktiviteteve të vazhdueshme që Banka e Shqipërisë ndërmerr për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si pjesë e ndërveprimit institucional, si dhe në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të ekspertëve në raportin e vlerësimit të raundit të pestë të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Europës.
Trajnimi u fokusua mbi kuptueshmërinë dhe zbatimin në praktikë të detyrimeve ligjore dhe rregullative, standardeve më të mira ndërkombëtare të fushës, në kushtet kur fenomeni i pastrimit të parave dhe financimit të terrorrizmit dhe masat për parandalimin e tyre kanë njohur një dinamikë të spikatur në vitet e fundit në nivel global.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.