Parashikimi i motit, IGJEUM: Reshjet do vazhdojnë, por rreziku i përmbytjeve do të ulet
Reshjet e shiut, dhe në disa zona shtrëngata do të vazhdojnë të përfshijnë vendin edhe ne 24 orët e ardhshme.
Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave të shtunën pasdite dhe ditën e dielë pritet të ketë reshje të dobëta, përjashtuar qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ku reshjet do të jenë mesatare. Në Veri në zonat malore priten edhe reshje në formë dëbore në 600 m mbi nivelin e detit.
Sa i përket përmbytjeve ne qarkun e Shkodrës, IGJEUM parashikon rënie të nivelit të ujit.
“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se në lumenjtë Drin, Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të ketë rënie të prurjeve. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të jenë të larta, por do vazhdojnë të ulen. Parashikimet e IGJEUM tregojnë ulje të niveleve dhe prurjeve në datat 24, 25, 26 dhe 27 Mars 2018. Pritet ulje nga rreziku i përmbytjeve në pjesën e Nën Shkodrës dhe në zonat periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit sot, 24 Mars 2018. Nga llogaritjet e IGJEUM ka kaluar piku i prurjeve dhe në ditët në vazhdim do të kemi ulje të rrezikut. Për arsye të uljes se rrezikut nga përmbytja, është hequr shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit parashikohen nivele te larta por brenda kuotave kritike”, thuhet në njoftim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.