PD: Qeveria fsheh rastet e COVID – 19, harta e virusit shkon në mbi 320 mësues dhe nxënës të prekur
Gjatë një deklaratë zyrtare për median, Partia Demokratike është shprehur se shkollat po bëhen një vatër e koronavirusit, ku numri i mësuesve dhe nxënësve të prekur nga COVID – 19 është në rritje eksponenciale.
“Unë jam sot para shkollës “Emin Duraku”, njërës prej shkollave që është shndërruar në një vatër të rrezikshme të pandemisë Covid-19. Nga informacionet që kemi marrë rezulton që janë 8 mësues kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe 20 mësues të karantinuar” shprehet ish deputetja Albana Vokshi.
Sipas Vokshit, drejtoria e shkollës nuk bën asnjë njoftim për prindërit e nxënësve dhe situata në shkolla është e rëndë; për të cilën PD akuzon qeverinë për mungesë të marrjes së masave.
“Vetëm javën e fundit, nga informacionet që vijnë në PD, janë me dhjetëra rastesh mësuesish, dhjetëra raste nxënësish, duke e çuar numrin total në më shumë se 320 mësues dhe nxënës të infektuar me Covid 19, të izoluar dhe të karantinuar” shton Vokshi.
Ndër të tjera, në deklaratën zyrtare për media, PD bën thirrje për plotësimin e kushteve higjieno – sanitare, sigurimin e maskave dhe dezinfektantëve, si dhe marrjen e masave nga qeveria për respektimin e protokollit të sigurisë në shkolla.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.