PD zyrtarizon dorëzimin e mandateve parlamentare, Basha njofton vendimin e Këshillit Kombëtar! Reagon OSBE
Partia Demokratike ka finalizuar edhe hallkën e fundit proceduriale të brendshme për procesin e dorëzimit të mandateve. Pas kryesisë, edhe Këshilli Kombëtar ka miratuar vendimin e tashmë procesi po konkretizohet me firmosjen e deputetëve për lënien e mandatit, ashtu sikurse edhe të disa kandidatëve që në zgjedhjet e 2017 kanë qenë në listë e që proceduralisht duhet t’u kalojë propozimin për marrjen e mandatit.
Vendimi u njoftua nga kreu i PD-së Lulzim Basha që tha se Këshilli Kombëtar mori vendim unanim për djegien e mandateve me efekt të menjëhershëm. Vendimin e tij Basha e njoftoi në ambientet e jashtme të selisë së partisë ku ishin prezentë mbështetës të shumtë.
“E hedhim këtë hap pasi kemi shteruar çdo mundësi tjetër për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve të mbetura. Zgjedhim me përgjegjësi të plotë t’i bindemi urdhërit të sovranit që është populli, qytetarët, jeni ju. Përmes këtij vendimi të vështirë dhe të paprecedentë ne synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlera europiane. Vendimi i marrë sot është vetëm fillimi i një beteje por unë e di se këtë betejë të madhe të gjithë sëbashku do të fitojmë” tha Basha ndërsa u bëri apel të gjithëve që të bashkohen në protestën para godinës së parlamentit.
Ndërsa deputetët dhe kandidatët po zhvillonin procesin e nënshkrimit të deklaratave të dorëheqjes ka reaguar edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri duke bërë apel për maturi.
“Vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen.
Prezenca e OSBE-së këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan.
Bazuar në përkrahjen tonë të kahershme për Shqipërinë, ne bëjmë thirrje për sjellje të përgjegjshme dhe për rifillim të procesit demokratik në Kuvend, një nga arritjet e Shqipërisë demokratike moderne. Shqipëria ka bërë përparim domethënës përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke lënë pas autoritarizmin. Ky përparim duhet të vijojë për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish” shkruhet në deklaratën e OSBE-së.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.