Përdorimi i makinave elektrike – DPSHTRR: Në 2020-ën u futën 317 mjete, nga zerimi i tarifave u kursyen 2.36 milion lekë
Pavarësisht se ka nisur regjistrimi i mjeteve të para elektrike, përdorimi i tyre në vendin tonë është tejet modest në raport me numrin e përgjithshëm të mjeteve me karburant. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se përgjatë vitit 2020 u regjistruan në total 317 mjete elektrike apo 280 mjete më shumë se viti 2019.DPSHTRR tashmë ka vendosur të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike.
Bëhet fjalë për tarifat që paguhen aktualisht për kontrollin fizik, lejen e qarkullimit, targat standarde dhe certifikatën e pronësisë, me një vlerë totale prej 7 500 lekësh. Ndërkaq, sipas përllogaritjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transporti Rrugor, falë zerimit të tarifave fillesatare vjetore për këto mjete, në total qytetarëve u janë kursyer 2.36 mln lekë. Stimulimi për futjen e këtyre mjeteve është mirëpritur nga ekspertët e mjedisit, të cilët kanë thënë më herët për TV SCAN se politikat për uljen e ndotjes duhet të orientohen drejt këtij lloj transporti.
Megjithatë, sipas tyre, rimbursimi i tarifave prej 7500 lekësh është simbolik, ndaj kanë kërkuar marrjen e masave të mëtejshme për të stimuluar blerjen e mjeteve elektrike. Ndërkaq, edhe Kuvendi ka kërkuar ndërhyrjen e Entit Rregullator të Energjisë për të nxitur hapjen e diskutimit publik me të gjithë palët e interesuara dhe të përpilojë propozimet e nevojshme ligjore për përdorimin e teknologjive të reja për stacionet e ngarkimit të automjeteve elektrike, si një nga pengesat kryesore për përdorimin e këtyre mjeteve.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.