Përzgjidhen këshilltarët e Eurobondit /Ministria e Financave publikon emrat, 500 mln euro emetohen brenda vitit
Qeveria shqiptare do të emetojë brenda vitit në tregjet ndërkombëtare një Eurobond të ri prej 500 milionë eurosh. Ministria e Financave ka shpallur bankat fituese që janë përzgjedhur si Menaxherë Bashkëdrejtues (Lead Managers) që do drejtojnë procesin e emetimit të këtij mekanizmi financiar në tregun ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar të Financave, janë shpallur fituese propozimet e paraqitura nga: JP Morgan; Societe Generale; Banca IMI & OTP duke i përzgjedhur ato si Bashkë-rregullues Kryesor (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit nga Republika e Shqipërisë të Eurobondit në tregun ndërkombëtar. Ministria e Financave bën me dije se vlerësimi i propozimeve u bë mbi bazën e: Eksperiencës së institucioneve në transaksione të ngjashme, prezencën e tyre në tregje dhe kapacitetin për sigurimin e financimit të kërkuar; Risqeve të ndryshme që mbart secili prej propozimeve; Kostos më të ulët efektive me të gjitha elementet e saj si: Afati i maturimit; Mënyra e shlyerjes; Komisionet, interesi dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në koston e huamarrjes në varësi të kushteve të tregut.
Në kërkesën për propozime, dikasteri nënvizonte se, qëllimi është që eurobondi të emetohet në gjysmën e dytë të këtij viti, në rast se kushtet e tregjeve do të jenë të favorshme, në të kundërt, do të shtyhet për në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Afati i maturimit, i kërkuar për eurobondin e ri do të jetë mes 7 dhe 10 viteve.
Institucionet financiare fituese
JP Morgan
Societe Generale
Banca IMI
OTP
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.