Planet për hec Skavica – Financimi nga buxheti, KESH: Studimi i fizibilitetit do jetë gati në vitin 2020
Deklaratat e kryeministrit Edi Rama kanë rikthyer edhe njëherë vëmendjen ndaj hidrocentralit të Skavicës, që prej vitesh nuk ka arritur të ndërtohet, pavarësisht përpjekjeve për gjetjen e financimit të kësaj vepre. Por, teksa qeveria planifikon ta ndërtojë përmes buxhetit të shtetit, gjatë vitit 2020 Korporata Elektroenergjetike Shqiptare parashikon të ketë gati studimin e fizibilitetit për këtë hidrocentral.
Kosto e studimit kap vlerën e 1.5 milion euro, një fond që i është akorduar KESH-it nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, një instrument i Bashkimit Evropian. Ndërkohë që studimi po realizohet nga grupi i konsulentëve të Konsorciumit IPF6 ( Infrastructure Project Facility). Hartimi i studimit të fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Social-Mjedisor nisi në janar të vitit 2019, ndërkohë që sipas KESH, ky dokument do të mundësojë, projektin që përmbush pritshmërinë për një vepër që do të jetë pjesë përbërëse e kaskadës mbi lumin Drin, një kaskadë me qasje strategjike për sektorin e energjisë dhe ekonominë shqiptare.
Hidroecentrali i Skavicës është projektuar që në vitin 1960, krahas hidreocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës mbi lumin Drin, por ai nuk u realizua asnjëherë, ndonëse ekspertët kanë argumentuar se kjo vepër do i japë një tjetër shtysë garantimit të sigurisë energjetike në vend.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.