Policia bllokon mjetet lundruese të Komanit. Procedohen penalisht 4 persona
Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, në zbatim të planit të masave “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe të argëtimit” janë ushtruar kontrolle në liqenin e Komanit.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në digën e liqenit të Komanit janë evidentuar 7 shtetas që ushtronin aktivitetin me mjete lundruese, për të cilat nuk dispononin dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit. Për secilin prej pronarëve të mjeteve lundruese është vendosur masa administrative 10.000 lekë. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë, 4 prej tyre, për veprat penale ”Punësim i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm“. Gjithashtu, këtyre shtetasve iu bllokuan edhe mjetet lundruese që kishin në përdorim” njofton Policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.