Policia dhe Dogana bllokojnë 145 mijë paund në doganën Qafë-Botë – Arrestohet në flagrancë autori
Policia ka arrestuar shtetasin D. D, 25 vjeç banues në Korçë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” Ky shtetas duke udhëtuar me automjetin tip Mecedes-Benz Sprinter, ka hyrë nga Greqia për në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë -Botë, Sarandë.
Shtetasi D.D në hyrje në pikën e kalimit kufitar Qafë-Botë, ka deklaruar mallrat që transportonte, lavatriçe dhe frigoriferë, ndërsa shumën e parave nuk e ka deklaruar, por e kishte fshehur.
Strukturat operativo – hetimore të Doganës në Sarandë në bashkëpunim me Policinë, kanë ndaluar në aksin rrugor Qafë-Botë – Sarandë automjetin që drejtohej nga ky shtetas dhe e kanë shoqëruar në PKK Kakavije për një kontroll të imtësishëm me Skaner, pasi Strukturat operativo – hetimore të Doganës dhe Policia dispononin informacion se ky shtetas po transportonte një shumë të madhe parash, të cilat nuk i kishte deklaruar në Kufi.
Pas kontrollit të imtësishëm dhe me skaner të bërë në Kakavije, në disa lavatriçe, Policia dhe Strukturat operativo – hetimore të Doganës, gjetën dhe sekuestruan 145 220 Paund anglezë dhe skocezë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D.D dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.