Policia Rrugore e Elbasanit publikon raportin javor, rreth 1183 masa administrative të vendosura çdo ditë
Policia Rrugore ka intensifikuar masat me qëllim përballimin e fluksit gjatë sezonit turistik veror dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Në të gjitha akset rrugore interurbane, urbane dhe rurale, Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj duke bashkëpunuar me Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Përgjatë javës, në numrin 112 e në Komisariatin Dixhital janë bërë 76 raportime për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor. Si rezultat i kontrolleve të shtuara përgjatë javës që lamë pas, janë proceduar dhe arrestuar 18 drejtues mjetesh, nga të cilët:
3 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 për drejtim mjeti pa Leje Drejtimi dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë pezulluar 25 Leje Drejtimi,
nga të cilat 13 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, 9 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 4 për shkelje të tjera të parashikuara nga Kodi Rrugor.
Kontrollet janë përqëndruar edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që nuk përdorin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, e drejtuesve që gjatë drejtimit të mjetit përdorin celularin, e drejtuesve që bëjnë parakalime të gabuara, duke u bërë burim akisdenti etj.
Gjatë javës që lamë pas, nga specialistët e qarkullimit rrugor në DVP Elbasan, janë vendosur gjithsej 1183 masa administrative, nga këto:
• 77 masa për shpejtësi tej normave të lejuara
• 89 për mospërdorim të rripit të sigurimit
• 123 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit
• 345 për parakalim të gabuar
• 549 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Policia e Elbasanit do të vijojë kontrollet e pandërprera, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe apelon të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.