Porti i Durrësit – Mbi 1 miliardë lekë për thellimin emergjent të kanalit hyrës
Autoriteti Portual i Durrësit ka hapur procedurat e tenderimit për thellimin emergjent të basenit dhe kanalit në Portin e Durrësit. Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë investim kap vlerën e mbi 1 miliardë lekëve.
Ndërhyrja do të kryhet nisur nga nevoja për hyrjen dhe përpunimin e port të anijeve me kapacitete më të mëdha si dhe për krijimin e kushteve të domosdoshme për lundrim të sigurt në kanalin hyrës të portit.
Grafiku i punimeve përfshin pastrimin dhe thellimin e basenit dhe kanalit hyrës me gjatësi totale rreth 6700 metra, çka do të bëjë të mundur që anijet të kryejnë një rrotullim të plotë brenda basenit të portit, pa penguar punimet e anijeve të tjera të ankoruara.
Vitet e fundit porti më i madh i vendit dhe kanali hyrës janë prekur nga një akumulim progresiv i sedimenteve të zhvendosura nga rrymat detare si dhe helikat e anijeve dhe trageteve të më të mëdhenj, çka ka sjellë edhe reduktimin e distancave dhe nivele të duhura të thellësisë së nevojshme lundrimore.
Me përfundimin e këtij investimi do të mundësohet hyrja në port të anijeve të një madhësie prej 20 000 DWT apo 1 000 TEU, si dhe ankorimin e tyre në anë të kalatave të portit. Punimet janë parashikuar të përfundojnë brenda një afat total prej 6 muajsh.
Porti i Durrësit është tashmë prej disa vitesh në proces rehabilitimi dhe përmirësimi të strukturave e kapaciteteve të tij. Ai mirëpret anije me mallra të natyrave dhe përmasave të ndryshme përmes katër terminaleve që operojnë në këtë port.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.