Pranohet ftesa e Nishanit – Basha dhe Rama bien dakord të ulen në negociata
Kryeministri i vendit dhe kreu i opozitës kanë pranuar të ulen edhe një herë në tryezën e negocimit, pas ftesës së bërë nga ana e presidentit të Republikës, Bujar Nishani. I pari që ka reaguar ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, në rrjetin social Facebook ku shprehej: “Z. President! Edhe unë jam i shqetësuar për përmasat që po merr kriza e Partisë Demokratike. Jam gati t’i përgjigjem thirrjes suaj kaq të vonuar dhe të ulem me Lulzim Bashën”.
Koalicioni opozitar, nga ana tjetër, ka preferuar të reagojë me një deklaratë publike, duke pranuar ftesën për negociata.
“Ndonëse shkaktari i kësaj krize, Edi Rama, me veprimet dhe qëndrimet e tij ka vendosur interesin e tij vetjak para interesave të qytetarëve shqiptarë, opozita dhe Partia Demokratike kanë kërkuar gjithmonë rrugën e dialogut të vërtetë dhe jo fasadë. Partia Demokratike dhe Koalicioni Opozitar rikonfirmojnë gatishmërinë e tyre duke ju përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Nishani”, thuhet në deklaratë.
Reagimet e dy kampeve vijnë pas deklaratës nga zyra e shtypit e presidencës, në të cilën thuhej se kriza politike po merr përmasa shqetësuese.
“Ndaj edhe njëherë i kërkon kryeministrit të vendit dhe liderit të opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin. Presidenti Nishani ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional, në shërbim të këtij dialogu”, thuhet në deklaratën e Nishanit.
Rama dhe Basha do të ulen edhe një herë në tryezën e negocimit. Kampet politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga Presidenti i Republikës për zgjidhjen e krizës politike.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.