Presidenti Meta bën publike arsyet: Pse e anulova datën e zgjedhjeve vendore!
Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar më herët, kreu i shtetit Ilri Meta ka bërë publike arsyet për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, të parashikuara për në 30 qershor. Në daljen për mediat, Presidenti Meta analizoi situatën e tensionuar politike ndërsa riktheu në vëmendje rastet e mëparshme kur në Shqipëri janë shtyrë zgjedhjet.
Ndryshe nga precedentët e mëparshëm, në këtë rast sipas Presidentit, mungon konsensusi i palëve e zgjidhja e vetme mbetet ndërhyrja e Presidentit. Kreu i shtetit evidentoi se në këto kushtet autoriteti i vetëm kushtetues është Presidenti i Republikës, pasi mungon Gjykata Kushtetuese dhe organet e tjera.
Kjo shtyrje, sipas presidentit, duhet të shërbejë si kohë në funksion të gjetjes së një zgjidhje për krizën politike.
Nëse nuk do të ndërhyhej në këtë mënyrë, sipas kreut të shtetit, pasojat do të ishin të pallogaritshme si për stabilitetin, ashtu edhe për ekonominë dhe për procesin integrues.
Sa i përket asaj se çfarë mund të ndodhë me njësitë e pushtetit vendor në një kohë kur nuk janë realizuar zgjedhjet, Meta tha se ligji për pushtetin vendor garanton ofrimin e shërbimeve për qytetarët në rastet të tilla. Pra, kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave do të vijojnë të ushtrojnë detyrën deri në betimin e kryebashkiakëve e anëtarëve të rinj të këshillave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.