Pritet votimi/ Arben Ahmetaj propozohet kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Niko Peleshi kryetar i Veprimtarive Prodhuese!
Kuvendi çel këtë të hënë sesionin e ri parlamentar. Në këtë seancë është parashikuar të votohet edhe dekreti i shkarkimit të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe dekreti i emërimit të kryeministrit Edi Rama në këtë detyrë. Krahas dekreteve, në rendin e ditës janë parashikuar edhe votimet për krerët e rinj të komisioneve parlamentare, për faktin se dy prej tyre kanë marrë poste ministrore.
Marrja e detyrës së zëvëndëskryeministrit nga Erjon Braçe ka krijuar vakancë në kryesimin e Komisionit parlamentar të Ekonomisë ashtu sikurse edhe e Eduard Shalsit që ka krijuar vakancë në kryesimin e Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.
E ndërsa dy krerët e komisioneve janë bërë ministra, do të jenë sërish dy ish ministri që do të bëhen krerë komisionesh. Burime i thanë jozyrtarisht portalit SCAN se për postin e kreut të Komisionit të Ekonomisë është propozuar ish ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj. Kjo kandidaturë në fakt ishte përfolur edhe më herët. Ndërkohë për kreun e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese është propozuar Niko Peleshi që më parë ka mbajtur detyrën e Ministrit të Bujqësisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.