“Produkti Turistik” në Tiranë – Shpallen 2 fituesit, Veliaj: Hoteleria, pjesë e planit vendor
Bashkia e Tiranës mbështet sektorin e hotelerive, duke inkurajuar shtimin e njësive akomoduese, si pjesë e planit të ri vendor. Kështu është shprehur kreu i bashkisë, Erion Veliaj, gjatë një konkursi për “produktin turistik”, ku morën pjesë 40 konkurrentë. Sipas Veliajt është e rëndësishme që të investohet në këtë drejtim, në mënyrë që financat të mos dalin jashtë Tiranës.
“Kjo është arsyeja që ne do të vazhdojmë me inkurajimin e hotelerive në Tiranë. Do të jenë dhe dy brande hotele të tjera shumë të famshme të cilat janë në prag të finalizimit të projekteve të tyre të Tiranës. Kemi dhe disa aplikime të tjera për hoteleri në zonën e bulevardit të ri. Dhe besoj se edhe oferta e shtretërve të mangët në qytetin e Tiranës, brenda 4-vjeçarit do të përmbushet dhe Tirana do të jetë e vetëmjaftueshme me shtretër dhe me industrinë e njerëzve që punojnë”, tha kryebashkiaku.
Kreu i bashkisë theksoi se, janë shtuar kërkesat për ndërtimin e hoteleve pranë zonës së Bulevardit të Ri, dhe paralelisht duhet të avancohet edhe me shkollat profesionale, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesës për punësim.
“Është mundësi fantastike punësimi. Ka shumë të rinj sot që punojnë në industrinë e hotelerisë. Na duhet pak kohë të avancojmë me shkollat tona profesionale, por më vjen mirë që për herë të parë ka radhë në shkollat tona profesionale. Mbaj mend para katër vitesh kur filluam shkollat profesionale, njerëzit menduan se ishte një lloj paraburgimi për katranosët. Sot nuk është kështu. Sot secili që ka marrë një arsim profesional ia ka parë dukun se çfarë do të thotë të kesh një zanat”, shtoi Veliaj.
Në konkursin për produktin turistik u shpallën dy fitues të vendit të parë, ai për produktin artizanal tradicional dhe ai për produktin inovativ turistik, të cilëve iu dha çmimi prej 100 mijë lekë secilit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.