Programi i praktikave të punës – Procedura për 1343 pozicione, aplikimi deri në 20 gusht
Të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç kanë afat deri në datën 20 gusht për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tashmë ka shpallur 1343 pozicione për praktikantë, ku për herë të parë janë përfshirë edhe bizneset private si bankat apo kompanitë celulare.
Të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç kanë afat deri në datën 20 gusht për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tashmë ka shpallur 1343 pozicione për praktikantë në 19 Institucione shtetërore qendrore, 93 Institucione të varësisë, 19 Njësi të Qeverisjes Vendore si dhe 10 Shoqëri Tregtare.
Ndërkohë që, pas përcaktimit të afatit të parë, ky dikaster vendosi të shtyjë datën e aplikimit, duke iu dhënë një mundësi të dytë të rinjve të interesuar. Programi i praktikave të punës zgjat 3 muaj dhe është pa pagesë, por pavarësisht kësaj, periudha e praktikës do të njihet si përvojë pune gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike.
Aplikimi mund të bëhet vetëm online, në faqen e dedikuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale praktika.sociale.gov.al, ndërsa të drejtën e kanë të gjithë të rinjtë që kanë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Diaspora.
Ky është viti i tretë i aplikimit të këtij programi, ndërsa qëllimi është përfitimi i një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale, akademike, personale dhe njohja me administratën publike.
Risia e thirrjes së tretë është përfshirja e bizneseve private, që u ofrojnë mundësi të rinjve për të kryer praktikën e më konkretisht: bankat e nivelit të dytë apo kompanitë celulare. Vitin e kaluar u ofruan 2000 pozicione, ndërsa 200 praktikantët më të mirë siguruan edhe një kontratë pune.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.