Prokuroria Durrës, hetimet e “nxehta” – 53 dosje për shpërdorim detyre, 26 pastrim parash, 9 korrupsion
Për shkak të çështjeve si ajo e Adriatik Llallës, Rovena Gashit, apo korrupsionit me pronat në Ishëm e Gjirin e Lalzit, Prokuroria e Durrësit është kthyer së fundmi në një prej organeve të hetimit me çështjet më të nxehta në vend. Gjë që mund edhe të shpjegojë përse ky institucion është grabitur dy herë brenda pak javësh.
Prokuroria e përgjithshme njoftoi se të enjten në mëngjes u konstatuar grabitja e dhomës së serverit si dhe e zyrës së Prokurorit Afrim Shehu dhe të një oficeri gjyqësor. Mësohet gjithashtu se puna e këtij prokurori ka qenë e fokusuar së fundmi në disa çështje pronash.
Ndërkohë TV Scan ka zbardhur dosjet më të nxehta që ka proceduar gjatë vitit 2017 Prokuroria e Durrësit, ku bie në sy numri i lartë i rasteve të hetuara për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë Durrës, gjatë vitit 2017 rezultojnë në total 53 procedime të filluara për veprën shpërdorimit të detyrës, me një total prej 41 të pandehurish. 9 procedime i takojnë veprës penale të korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Për veprën e pastrimit të parave janë regjistruar 26 procedime ndërsa për fshehje të ardhurash 14 procedime.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.