Publikohen shifrat – Manastirliu: Në 10 muaj u punësuan 153 mjekë dhe 820 infermierë
Vetëm gjatë vitit 2018 në sistemin shëndetësor publik janë punësuar 153 mjekë dhe 820 infermierë. Të dhënat për 10-mujorin janë bërë publike nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Nga mjekët që janë punësuar në sektorin publik, 79 prej tyre janë punësuar në spitale dhe 74 mjekë në shërbimin parësor. Ndërsa, 16 mjekë janë punësuar në të gjithë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe 10-mujore nxitur nga programi i bonusit të qeverisë, ndërkohë që sipas Ministrisë janë edhe 35 mjekë që janë në procedurë punësimi në shërbimin parësor vetëm në Tiranë.
Sa i takon punëismit përmes platformës ‘Infermierë për Shqipërinë’, që prej shpalljes së re të punësimit të infermirëve janë punësuar deri më tani 820 teknikë të shkencave mjekësore, konkretisht:
715 infermierë
68 mami
18 teknikë laboratori
15 teknikë imazherie
4 fizioterapistë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social po vijon me politikat mbështetëse për mjekët dhe infermierët. Me buxhetin e vitit 2019, do të ketë 7% të pagave për mjekët dhe infermierët. Nga rritja e pagave do të përfitojnë 4650 mjekë dhe 13765 infermierë, ku përfshihen edhe laborantët dhe farmacistët e spitaleve.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.