Qeveria merr hua nga Banka Botërore – Projekte rehabilituese për Beratin, Përmetin Sarandën e Gjirokastrën
Qeveria do të rikonstruktojë shkallaret e Sarandës falë një financimi të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, nën varësi të Bankës Botërore.
Rehabilitimi i këtyre shkallareve do të jetë një nga punët që do të financohen nën projektin ‘Integrimi Urban dhe Zhvillimi i Turizmit’ dhe përllogaritet të kushtojë 753 mijë dollarë.
Fondi Shqiptar për Zhvillimin ka shpallur tashmë ftesën për oferta për këtë projekt, punimet e së cilit do të zgjasin për 6 muaj.
Ky fond ka shpallur gjithashtu kërkesën për shprehje interesi për mbikëqyrjen e punimeve të projektit të “Përmirësimit të infrastrukturës dhe zhvillimit urban” për Beratin dhe Përmetin, si edhe për nënprojektet fast-truck në përmirësimin e infrastrukturës në qytetet Sarandë, Gjirokastër.
Në projektin e parë përfshihet rehabilitimi i rrugës me kalldrëm ‘Mihal Komneno’ drejt Kalasë së Beratit, përmirësimin e rrugës të aksesit të automjeteve ‘Muzak Topia’ për në Kalanë e Beratit, si edhe ndriçimin e rrugëve dhe monumenteve në qendrën historike të Përmetit.
Ndërsa projekti i dytë përfshin krahas rehabilitimit të shkallareve të Sarandës, rigjenerimin e shëtitores ekzistuese ‘Naim Frashëri’, rehabilitimin e rrugës më kalldrëm të pazarit të Gjirokastrës, stabilizimin e shtegut të Ali Pashës, si edhe ndriçimin e rrugëve dhe monumenteve në qendrën historike të Gjirokastrës.
Sipas dokumenteve të bëra publike nga Banka Botërore, huaja totale për projektin e përgjithshëm shkon në rreth 60 milionë dollarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.