Qeveria miraton 6 programet sociale të strehimit – Ja çfarë përfshijnë dhe kush mund të përfitojë
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin e hartuar për strehimin social, i cili tashmë do të shqyrtohet në Kuvend. Në të parashikohen gjashtë lloje programesh sociale të strehimit, nga të cilat familjet në nevojë mund të përfitojnë sipas kushteve ligjore të caktuara.
Këtu përfshihen:
a) programi i banesave sociale me qira (BSQ);
b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
c) programi i banesave me kosto të ulët (BKU);
ç) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
d) programi për krijimin e banesave të përkohshme;
dh) programi i banesave të specializuara.
Për të përfituar nga këto programe kualifikohen të gjithë individët mbi 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile, të cilat plotësojnë kushtet e ligjit. Të mos pasurit në pronësi një banesë, apo zotërimi i një banese apo sipërfaqeje banimi jashtë standardeve në fuqi janë disa nga kushtet. Gjithashtu mund të përfitojnë të gjithë ata që kanë mbetur të pastrehë si rezultat i fatkeqësive natyrore, i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë, zhvendosjes për shkak të investimeve publike dhe nga zbatimi i vendimeve gjyqësore apo akteve administrative.
Aplikimi për programet e mësipërme bëhet në zyrën përkatëse të njësisë së qeverisjes vendore, ndërsa përzgjedhja bëhet nëpërmjet një sistemi me pikë.
Përparësi në përzgjedhje do të kenë familjet me një prind që kanë në ngarkim fëmijë, familjet me më shumë se katër fëmijë, të moshuarit që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në azile, bashkëshortët me moshë mesatare deri në 60 vjeç.
Gjithashtu, prioritet do të kenë edhe kushtet sociale si: familjet e pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve; emigrantët dhe azilkërkuesit, personat me aftësi të kufizuar; jetimët; anëtarët e komunitetit rom, egjiptian, LGBT; viktimat e dhunës në familje, trafikimit; vajzat nëna; si edhe familjet e policëve të rënë në detyrë, punonjësit e FNSH dhe RENEA.
Programet e ndryshme mundësojnë përmirësimin e kushteve të banimit, vendosjen në një banesë të specializuar, vendosjen në një banesë sociale me qira, subvencionin e qirasë e deri tek dhënia e granteve për banesa me kosto të ulët.
Individët apo familjet nuk mund të përfitojnë nga më shumë se një program njëkohësisht, ndërsa në rast mos kualifikimi në një program është detyrë e njësive të vetëqeverisjes vendore të ofrojnë mundësinë për të kaluar dhe përfituar nga një program tjetër.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.