Qiratë e tokave shtetërore – Rregullorja e re: Jo më nënkontraktime dhe tjetërsim të përdorimit
Mosrespektimi i kontratave të qirave të tokave bujqësore do të ndëshkohet me penalitete të ashpra deri padi në gjykatë për subjektet private. Përmes një vendimi të miratuar më 20 qershor, Këshilli i Ministrave ka ashpërsuar penalitetet dhe kushtet e respektimit të kontratave të qirave të tokave bujqësore. Shteti merr të drejtën të vendosë penalitetet që në çastin kur qiramarrësi nuk ka paguar vlerën e qirasë brenda afatit të përcaktuar në kontratë; ashtu si dhe në rastin kur kontraktori nuk kryen brenda 5 vitesh të paktën 70% të investimit sipas kontratës.
Masa ekstreme e prishjes së kontratave dhe e rimarrjes së tokës në dorëzim nga shteti është parashikuar të aplikohet në rastet Qiramarrësi është në mospërmbushje të përsëritur të detyrimeve kontraktore dhe këto mospërmbushje të përsëritura janë konstatuar gjatë për një periudhë 1-vjeçare.
Kjo masë ekstreme do të aplikohet edhe në rastet kur Qiramarrësi ka dhënë me nënqira tokën objekt i kësaj kontrate ose përdor tokën për qëllim tjetër, të ndryshëm nga çfarë është parashikuar në planin e biznesit dhe këtë kontratë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.