Rama njofton: Situatë me e qetë nga zjarret në vend, 2 vatra kritike, 8 janë nën monitorim (VIDEO)
Kryeministri i vendit njofton se falë punës së bërë nga efektivët e Forcave të Armatosura, punonjës të shërbimit zjarrfikës, emergjencave civile pranë pushtetit vendor është bërë e mundur shuarja e shumë vatrave agresive në zona të ndryshme të territorit të vendit.
Sipas njoftimit vetëm ditën e sotme, përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë shuar 15 vatra zjarri, por mbeten ende 10 vatra aktive ku 2 prej tyre si Karaburuni dhe Maja e Rrunës janë vatra me intensitet më të lartë. “Në majën e Rrunës, helikopteri ka bërë të mundur uljen e agresivitetit të flakëve dhe nuk rrezikohen banesa”, shkruhet në njoftim.
Rama bën me dije se në Qarkun e Vlorës, Gadishulli i Karaburunit, vatra është mbajtur nën kontroll për të mos lejuar kalimin në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe është mundësuar eleminimi i vatrave në pjesën më të madhe të zonës së prekur dhe momentalisht nuk ka rrezik
Sipas informacionit të publikuar nga kryeministri 8 vatrat e tjera janë në: Bashkinë Finiq (Vlorë), në fshatin Vermosh (Shkodër), në fshatrat Thirrë, Domgjonaj, Munellë (Lezhë), në Dropull (Gjirokastër), në fshatin Klysyrë (Tropojë), në fshatin Bardhaj (Dibër) si dhe në Kodër Sharrë (Tiranë) janë nën kontroll dhe do të monitorohen edhe gjatë natës, për të mos lejuar që ndryshimet e kushteve klimatike të ndikojnë në përhapjen e flakëve.
Rama informon se me ndërhyrjen edhe të 3 helikopterëve të mbërritur nga Holanda e Çekia si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE pritet edhe shuarja përfundimtare e zjarreve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.