Rama, vizitë në Kroaci – Nënshkruhet marrëveshja për partneritet strategjik
Kryeministri, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kroaci, ku fillimisht është takuar me kryetarin e Parlamentit, Gordan Jandrokoviç me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dhe miqësinë mes dy vendeve. Më pas, Rama u prit me një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, me të cilin nënshkroi marrëveshjen për partneritet strategjik. Në konferencën e përbashkët për mediat, Rama tha se, dy vendet do të zgjerojnë bashkëpunimin, në fusha të ndryshme, si ekonomia, siguria dhe emigracioni.
Shefi i ekzekutivit përmendi kontributin që i ka dhënë Kroacia, faktorit shqiptar në Ballkan, duke u ndaluar tek pavarësia e Kosovës dhe ndihma dhënë për Shqipërinë gjatë anëtarësimit në NATO.
Më herët, kryeministri Rama mori pjesë në samitin e Kryeministrave të Iniciativës së Europës Qendrore. Sipas asaj që kryeministri shkruan në Facebook, e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e ankoruar fort në perspektivën e Bashkimit Europian dhe në NATO.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.