Reforma zgjedhore – PD propozon sistem mazhoritar me 100 deputetë
Fillimi i kësaj jave pritet të jetë i ngjeshur me aktivitete politike. Kështu kryesia e grupit parlamentar të PD-së ka vendosur të depozitojë të hënën në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në mbledhjen e kryesisë së Grupit Parlamentar të PD, demokratët vendosën që në fokus të opozitës do të jetë problematika që ka të bëjë me shitblerjen dhe manipulimin e votës, si dhe votimi e numërimi elektronik.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se demokratët kanë tashmë projektin e tyre politik, të cilin do ta ofrojnë si propozim në komisionin ad hoc që do të krijohet në Kuvend.
PD do të propozojë në Kuvend rikthimin e sistemit maxhoritar, ku Shqipëria të jetë e ndarë në 100 zona elektorale. Në këtë mënyrë propozimi është që Parlamenti të përbëhet nga 100 deputetë dhe jo nga 140 që përbëhet aktualisht.
Ky është një projekt të cilin kreu i demokratëve e ka bërë publik edhe gjatë qëndrimit në çadrën e protestës të vendosur përpara Kryeministrisë, kur kërkoi ndjesë edhe për ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008.
Në këtë mënyrë demokratët po përpiqen që të japin një zgjidhje për problemet që hasen në procesin zgjedhore në Shqipëri, përmes një ligji të ri zgjedhor, i cili do të diskutohet në Parlament.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.