Rehabilitimi i spitalit rajonal Kukës – Nis faza e parë e investimit prej 3 milionë euro
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte e pranishme në fazën e parë të ndërtimit për investimin që do të bëhet në spitalin rajonal të Kukësit.
Sipas njoftimit, tashmë ka nisur investimi për transformimin e spitalit rajonal të Kukësit me ndërtimin në fazën e parë të maternitetit dhe spitalit të ri të urgjencës si dhe sallave të operacionit.
Investimi mendohet të përmbyllet në fazën e dytë me rehabilitimin e të gjithë kompleksit modern spitalor të Kukësit.
Manastirliu ishte e pranishme së bashku me prefektin e Kukësit Zenel Kuçana dhe kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë Kukës Safet Gjici, gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e spitalit.
Investimi në fjalë është marrë përsipër nga ana e qeverisë shqiptare dhe ka një vlerë prej 3 milionë euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.