Rezultatet e bankave në 6 muaj, numri i bankave me fitim ulet në tetë
Rezultatet financiare të bankave shqiptare shfaqën një tendencë pozitive edhe në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, rezultati i përbashkët financiar i 16 bankave të sistemit për 6-mujorin ishte pozitiv në vlerën e 7.5 miliardë lekëve, nga 4.4 miliardë që pati qenë fitimi në tremujorin e parë.
Megjithatë, krahasuar me tremujorin e parë, vërehet një rënie e numrit të bankave që kanë arritur rezultat financiar pozitiv. Tetë nga 16 banka e mbyllën gjashtëmujorin me fitim, ndërsa për tremujorin e parë bankat me rezultat pozitiv kishin qenë 11.
Siç po ndodh zakonisht prej disa vitesh, rezultatet më të larta i shfaqin kryesisht bankat më të mëdha dhe më të konsoliduara të sistemit. Fitimet më të larta për 6-mujorin i arriti Raiffeisen, e ndjekur nga BKT dhe Intesa Sanpaolo. Rezultat pozitiv raportoi sërish edhe Credins Bank.
Ndër bankat e tjera, edhe në tremujorin e dytë, vazhduan të shfaqin një ecuri pozitive ABI Bank, Union Bank dhe Fibank. Banka e fundit që e mbylli 6-mujorin me një fitim modest ishte Tirana Bank, por kryesisht falë kontributit të tremujorit të mëparshëm, ndërkohë që në tremujorin e dytë banka e Grupit të Pireut regjistroi sërish rezultat me humbje.
Ndër bankat me rezultat negativ, humbjet më të mëdha i regjistruan Alpha Bank dhe Veneto Banka, të ndjekura nga Banka e Kreditit të Shqipërisë, ProCredit Bank dhe NBG Bank.
Një ndër bankat me rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, Societe Generale, ju kthye rezultateve pozitive në tremujorin e dytë, por bilanci i 6-mujorit rezultoi me humbje të lehtë, për shkak të rezultatit negativ në tremujorin e parë.
Megjithëse aktiviteti i sektorit bankar po vazhdon të përmirësohet gradualisht, për një pjesë të mirë të bankave, sidomos ato më të vogla, përfitueshmëria ngelet ende një sfidë.
Fitimet vazhdojnë të jenë të përqendruara në tre prej bankave më të mëdha të sistemit, të cilat zotërojnë një bazë të gjerë klientësh dhe një portofol të madh investimesh pa rrezik në bono dhe obligacione.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.