Rikualifikimi urban në “Selitë” – Veliaj: Qytetarët të lirojnë hapësirat, 90% janë bashkëpunues
Bashkia e Tiranës po vijon rikonstruksionin e rrugëve të bllokut të banimit në Selitë të kufizuar nga Rr. “Hamdi Pepa”, “Ilia Dilo Sheperi”, Visarion Xhuvani” dhe “Leka i Madh”. Ky investim pritet të zgjidhë problemin e mungesës së infrastrukturës për 30 mijë banorë, të ardhur kryesisht pas viteve ‘90.
Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u kërkoi qytetarëve që të tregohen bashkëpunues për të liruar hapësirat të cilat pengojnë realizimin e projekteve.
Duke u ndalur në çështjen e zjarreve në Tiranë, Veliaj siguroi se të gjithë institucionet janë në krye të detyrës për përballimin e situatës. Ai u bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat përreth Tiranës që të sinjalizojnë sa më parë çdo rast.
Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve sa i përket situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në një kohë që vendi ynë po përballet me temperatura të larta dhe me një thatësirë të zgjatur. Veliaj deklaroi se situata është nën kontroll në mbi 90% të territorit, ndërsa në zonat e tjera furnizimi po realizohet me ndihmën e boteve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.