Rinovimi i licencës celulare – “Albtelecom” propozon ta paguajë me këste
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka shtyrë me një vendim të ndërmjetëm afatin e vlefshmërisë së autorizimit të Albtelecom për të shfrytëzuar frekuencat në brezat 900 dhe 1800 Mhz. Bëhet fjalë për autorizimin fillestar të shërbimeve celulare GSM, që Albtelecom e mori si pjesë e paketës së privatizimit, qysh në vitin 2004.
Procesi i negociatave që po zhvillohet mes AKEP dhe Albtelecom për rinovimin e autorizimit për 15 vjet të tjera ka rezultuar i vështirë. Ndonëse çmimi i kërkuar nga AKEP dhe Ministria e Infrastrukturës është konfidencial, besohet se ai është pranë nivelit të 10.9 milionë eurove. Të njëjtën shumë kanë paguar më herët dy operatorët e tjerë, Telekom Albania dhe Vodafone Albania, që e kanë kryer këtë procedurë përkatësisht në vitet 2015 dhe 2016.
Fillimisht, Albtelecom kishte kërkuar një çmim më të ulët për rinovimin e autorizimit. Pas rezistencës nga qeveria shqiptare, kompania e grupit Çalik ka dalë me një propozim të ri, ku pranon të paguajë çmimin minimal të kërkuar, por të shtrirë në kohë përgjatë 5 viteve të ardhshme. Pagesa me këste është një praktikë që është ndjekur më herët në dhënien e autorizimeve të reja për marrjen në përdorim të frekuencave, konkretisht për operatorin Plus Communication, mbështetur në një vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, për rinovimin e autorizimeve ekzistuese nuk ekzistojnë precedentë të tillë. AKEP e ka përcjellë propozimin e Albtelecom në Ministrinë e Infrastukturës, që nga ana e saj ka kërkuar mendim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke pasur parasysh që pagesa në fjalë ndikon të ardhurat e pritshme në buxhetin e shtetit.
Në fillim të muajit gusht, Ministria e Financave ka kërkuar më shumë kohë për të dhënë një përgjigje lidhur me këtë propozim. Në këto kushte, AKEP ka marrë një vendim të ndërmjetëm, ku shtyn afatin e vlefshmërisë së autorizimit, deri në mbylljen e negociatave dhe në nënshkrimin e një dokumenti dakordësie.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.