Rinovohet së shpejti godina e ish-Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës – MIE hap tenderin 113.3 mln lekë
Godina e ish Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës do të rinovohet së shpejti. Ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur procedurat e tenderimit për restaurimin e godinës që ndodhet në qendër të qytetit, e cila daton që nga viti 1937.
Fondi limit i akorduar për këtë investim kap vlerën e 113.3 milionë lekë, ku për vitin 2018 fondi i vënë në dispozicion është mbi 81.6 milionë lekë.
Projekti parashikon ndërhyrjet e nevojshme që do të bëhen kryesisht në drejtim të përforcimit të strukturës së godinës me qëllim përmirësimin e kushteve dhe garantimin e qendrueshmërisë së saj.
Grafiku i punimeve përfshin restaurimin, adaptimin e zyrave, ambienteve të përbashkëta si dhe rinovimin e pjesës së pasme të fasadës. Ndërhyrjet rehabilituese në fasadat e pjesës së jashtme dhe ato të oborrit të brendshëm do të sjellin në gjendjen e mëparshme pamjet dhe të gjithë elementët arkitektonikë.
Po ashtu, do të bëhet instalimi i sistemit të ndriçimit për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë ndërtesën, si dhe do të zgjidhet njëkohësisht edhe problemi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe ai i ngrohje-ftohjes dhe ventilimit përmes instalimit të rrjeteve përkatëse.
Punimet për këto ndërhyrje janë planifikuar të përfundojnë në një afat prej 8 muajsh nga nënshkrimi i kontratës me fituesin e garës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.