Rivlerësimi i pasurive, Ahmetaj: 48 mijë aplikime, të ardhurat 3.95 mld lekë
Bilanci i ekonomisë, treguesit fiskalë dhe kreditimi ishin fokusi i analizës së ministrit të Financave, Arben Ahmetaj këtë të martë në një takim me gazetarët.
Ahmetaj u ndal në një seri shifrash mes të cilave edhe ecuria e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme e cila është përkthyer me një përfitim prej 250 milionë dollarë për qytetarët.
“Që nga 1 shtatori deri në 15 maj në Shqipëri janë regjistruar rreth 48 mijë aplikime me një vlerë totale prej 3.95 miliardë lekë. Si rezultat i uljes së tatimeve nga 15 në 2 % qytetarët kanë kursyer 25.6 miliardë lekë. Sot për shkak të rivlerësimit të pronës së tyre, vlera e pronës së shqiptarëve është rritur me 1.9 miliardë lekë”, deklaroi Ahmetaj.
Kreu i Financave nënvizoi se qeveria vijon ti mbetet besnike skemës së taksës progresive dhe suksesit të saj në shpërndarjen e të ardhurave në ekonomi dhe për këtë do të ketë një rishikim me tendencë thellimin e saj. Gjithsesi Ahmetaj preferoi të mos jepte shumë detaje.
“Të mos harrojmë përfitimet e qytetarëve shqiptarë nga zbatimit i taksës progresive. 97 për qind e shqiptarëve me pagat më të ulëta, rreth 50 miliardë lekë në katër vjet qeverisje”, tha ministri.
Performanca e administratës doganore dhe tatimore sipas Ahmetajt ka qenë në nivele të kënaqshme në periudhën janar-prill dhe të dhënat paraprake tregojnë për një ecuri më pozitive se plani në kahun e të ardhurave.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.