Roaming-u, transparencë me detyrim – AKEP: Konsumatorëve t’u dërgohet SMS kur përfundon 80% e paketës bashkë me me çmimet
AKEP ka përcaktuar një seri elementësh të cilët duhet të bëhen publikë me detyrim nga kompanitë celulare lidhur me tarifat e shërbimit roaming veçanërisht në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Detyrimet për kompanitë vijnë në emër të mbajtjes së konsumatorit dhe janë në fazën e konsultimit public.
Në dokument AKEP përcakton se informacioni për tarifat në rrjetet celulare përfshin dhe tarifat për shërbimet roaming si dhe shërbimet e rregulluara roaming ndërkombëtar në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, dhe vendet ku aplikohen ato, duke dhënë detaje dhe informacion për nivelin e tarifave të rregulluara roaming dhe mënyrën e përdorimit/zgjedhjes të tyre, përfshirë çdo politikë të drejtë përdorimi kur është e aplikueshme. Informacioni për tarifat roaming përfshin dhe sqarime për pajtimtarin për masat për kontrollin e shpenzimeve sipas nëpërmjet limitit financiar dhe/ose sasior si dhe për mekanizimin e ndërprerjes (cut off) në rast të arritjes së limitit së paracaktuar apo zgjedhur nga pajtimtari.
Po ashtu, shënimet që shoqërojnë tarifat duhet të jenë të qarta dhe të përfshijnë dhe shpjegime për njësitë e tarifimit dhe çdo politikë të drejtë të përdorimit të shërbimeve. Shënimet për pajtimtarët e shërbimeve me paspagim të paketave celulare, përfshijnë sqarimin për dërgimin e SMS-ve informuese kur arrihet niveli 80% i konsumit të njësive të të dhënave (data) të përfshira ne paketë si dhe kur arrihet niveli 100% i konsumit të njësive të përfshira në paketë dhe pajtimtari është objekt i tarifimit me çmime standarde për njësi konsumi.
Në çdo rast kur pajtimtari arrin nivelin 100% të konsumit të shërbimeve të përfshira në paketë, para se të fillojë të jetë objekt i tarifimit me çmime standarde për njësi konsumi të shërbimeve, operatori i dërgon pajtimtarit një SMS informuese që përmban çmimet për njësi të shërbimeve kryesore (si thirrje telefonike kombëtare, SMS dhe akses në internet) të shprehur në lekë (me TVSH) për njësi të shërbimit (minutë, sms dhe MB). Ky njoftim shoqërohet dhe me një link në faqen e internetit të operatorit ku është e publikuar lista e plotë e çmimeve për njësi konsumi të shërbimeve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.