Rriten borxhet ndaj OSHEE – Faturat e papaguara arrijnë në 75.6 miliard lekë, rritja më e lartë te institucionet shtetërore
Borxhi që konsumatorët kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për fatura të papaguara u rrit gjatë vitit 2020. Sipas të dhënave zyrtare, në total shuma e fatuarave të palikujduara arriti në 75.6 mld lekë gjatë vitit që lamë pas, nga 72.5 mld lekë, që ishte një vit më parë. Pamundësia për të paguar faturat e energjisë elektrike vihet re për kategoritë e konsumatorëve familjarë, por edhe te institucionet buxhetore e ato jobuxhetore, ku bëjnë pjesë ujësjellësit apo klubet sportive.
Por, rritja më e lartë vihet re pikërisht te institucionet buxhetore, të cilët regjistrojnë një shumë totale prej 4.1 mld lekë fatura të pashlyera ndaj OSHEE, nga 3.6 mld lekë që ky borxh regjistohej një vit më parë. Rritja e debisë është më e ulët te katogoria e klientëve familjarë me vetëm 0.1 mld lekë. Megjithatë, kjo është kategoria që zë edhe pjesën më të madhe të borxhit, me 61.8% të totalit. Kategoria e vetme që regjistron një rënie të fatuarve të palikujdura të energjisë elektirke është sekstori privat me 11.1 mld lekë, nga 11.3 mld lekë që ishte në vitin 2019. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i arkëtimeve ra me 2.6% gjatë vitit që lamë pas, në raport me vitin 2019, duke u regjistruar në 95.8%, nga 98.4% që ishte një vit më parë.
Rritja e debisë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vjen në një kohë kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar një plan veprimi, që synon të parandalojë krijimin e borxheve të reja ndërmjet kompanive të energjisë elektrike, si dhe reduktimin e qëndrueshëm të stokut të detyrimeve të prapambetura të akumuluara deri më sot ndërmjet kompanive. Gjithashtu, plani i veprimit synon zbatimin e masave disiplinore për institucionet buxhetore dhe ndërmarrjet e ujit për të mos shmangur pagesën e faturave të energjisë elektrike.
TOTAL
BORXHI NDAJ OSHEE
2019 72.5 mld lekë
2020 75.6 mld lekë
BORXHI NDAJ OSHEE, SIPAS KATEGORIVE
Buxhetore
2019 3.6 mld lekë
2020 4.1 mld lekë
Jobuxhetore
2019 10.9 mld lekë
2020 13.6 mld lekë
Familjare
2019 46.6 mld lekë
2020 46.7 mld lekë
Privat
2019 11.3 mld lekë
2020 11.1 mld lekë
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.