Rriten obligacionet – Kuponi për maturitetin 2-vjeçar arrin në 3.23%
Interesat e obligacioneve 2-vjeçare të qeverisë shqiptare u rritën sërish në ankandin e muajit nëntor, duke kaluar kufijtë e 3%. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kuponi i obligacioneve arriti në 3.23%, niveli më i lartë i regjistruar që nga shkurti i këtij viti. Nga 4.5 miliardë lekë obligacione të shpallura nga Ministria e Financave, në ankand u financua huamarrje në vlerën e rreth 2.75 miliardë lekëve.
Në gjysmën e dytë të vitit, kërkesa e tregut për instrumentet qeveritare, sidomos ato afatgjata, po paraqitet disi më e ulët. Kjo ka bërë që në disa prej ankandeve shuma e shpallur për financim të mos plotësohet, duke sjellë njëkohësisht rritje graduale në normat e interesit.
Një ecuri e ngjashme është vërejtur edhe në interesat e bonove. Qeveria shqiptare po vijon në strategjinë e zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm, duke zëvendësuar gradualisht huamarrjen afatshkurtër me atë afatgjatë. Kjo ka sjellë një ofertë më të lartë të obligacioneve në tregun financiar, duke ushtruar një lloj trysnie drejt rritjes së interesave.
Tregu i letrave me vlerë të qeverisë po ndjek pritshmëritë e ekspertëve, për një rritje të lehtë të normave të interesit. Kjo tendencë pritet të vazhdojë dhe qeveria shqiptare ka parashikuar në buxhetin e këtij viti një rritje të kostos së huamarrjes së brendshme për vitin e ardhshëm.
Kërkesa e përmirësuar për kredi mund të zhvendosë më shumë fonde të sistemit bankar për financimin e sektorit privat, ku kthimet janë më të kënaqshme krahasuar me investimet me rrezik të ulët në titujt e qeverisë shqiptare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.