Sejko surprizon: “Edhe mund ta rrisim stimulin monetar”
Në një kohë kur ekonomia botërore ndodhet përballë dilemave të të ashtuquajturit “normalizim monetar”, që nënkupton rritjen graduale të normave të interesit, Banka e Shqipërisë për herë të parë është shprehur publikisht se mund ta shtyjë këtë proces.
Guvernatori Gent Sejko tha të martën se Banka e Shqipërisë është e gatshme madje edhe të forcojë stimulin monetar, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Inflacioni në dy muajt e fundit ka pësuar rënie, si pasojë e goditjeve kalimtare të ofertës, duke i lëkundur pritshmëritë e Bankës Qendrore lidhur me kthimin e rritjes së çmimeve në objektiv.
Në analizën e tij për ecurinë e ekonomisë shqiptare, Guvernatori nuk la pa përmendur kontributin e shpenzimeve publike në rritjen ekonomike të gjashtëmujorit të parë.
Ndonëse buxheti ngelet në suficit të lehtë, shpenzimet janë rritur ndjeshëm në periudhën parazgjedhore, duke mbështetur investimet dhe konsumin.
Një kontribut pozitiv në ekonomi, ka dhënë edhe rritja e kërkesës së jashtme, e shprehur në rritje të eksporteve dhe të turizmit hyrës.
Banka e Shqipërisë shprehur sërish një optimizëm në rritje për sa i takon gjendjes së sistemit bankar. Kreditë me probleme regjistruan sërish një ulje të lehtë gjashtë gushtit, duke zbritur në 15.1%.
Ulja e kredive me probleme dhe rënia e rrezikut të perceptuar në ekonominë reale, sipas Guvernatorit, do të përmirësojnë ofertën për kredi në të ardhmen.
Banka e Shqipërisë mbajti sot të pandryshuar normën bazë të interesit në minimumin historik prej 1.25%.
Këshilli Mbikëqyrjes se kursi stimulues i politikës monetare do të vazhdojë të paktën deri në mesin e vitit të ardhshëm, edhe si përgjigje ndaj forcimit të lekut në kursin e këmbimit, që dobëson presionet inflacioniste në ekonomi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.