Sejko takon ambasadorin e Hungarisë, Balla: Bizneset tona, interes për të investuar në Shqipëri
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Lóránt Balla.
Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet ekonomike të vendit, ku u shpreh se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë me një trend pozitiv zhvillimi, e mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Ai theksoi se shifrat e fundit tregojnë një drejtim mjaft pozitiv, e megjithatë ambienti mbetet ende mjaft sfidues dhe nevoja për progres të mëtejshëm do të vazhdojë të jetë në vëmendjen e institucioneve shqiptare.
Lidhur me zhvillimet financiare, Guvernatori nënvizoi se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm, dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ushtrojë me profesionalizëm rolin e saj rregullator, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të tij.
Nga ana e tij, Ambasadori i Hungarisë theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, si dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit. Ai theksoi se falë këtij progresi, Shqipëria ka tërhequr tashmë vëmendjen e mjaft vendeve, e veçanërisht në fushën e turizmit.
Ambasadori shtoi se investitorë hungarezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Ai vuri në dukje se ky interes i shfaqur deri tani prej tyre mund të shërbejë për të rritur besueshmërinë dhe për të tërhequr më shumë investitorë edhe nga vende të tjera në të ardhmen.
Nga ana tjetër, Ambasadori u shpreh se vazhdimi i reformave është një element mjaft i rëndësishëm, frytet pozitive të të cilave do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti edhe më atraktiv për investitorët e huaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.