Sezoni turistik 12 muaj, Klosi: Zgjerojmë ofertën turistike, jo vetëm det dhe rërë
Në kuadër të zhvillimit të turizmit në Shqipëri sipas të gjitha potencialeve që gëzon vendi, ministri Blendi Klosi ka vizituar nga afër pikën e re të informimit në Belsh.
Në fjalën e tij ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi u ndal te rëndësia e zgjerimit të sezonit turistik, duke e vënë theksin në zhvillimin e agroturizmit.
“Jemi në Belsh, në Seferan për të disatën herë por sot me një qëllim krejt të veçantë pasi kompania e cila menaxhon këtë perlë të natyrës ka hapur një pikë informacioni, dy bujtina të reja dhe siç e shikoni këtu vazhdon në mënyrë intensive turizmi nga e gjithë Shqipëria dhe dëshmojmë me këtë përpjekje që sa shumë potenciale ne kemi për të zgjeruar sezonin turistik, ofertën turistike nga ai i detit dhe i rërës për të dalë në zonën e tokës në zonën e atdheut të mesëm duke parë bukuri natyrore, duke parë potencial turistik por duke parë edhe njerëz të shkëlqyer që së bashku me pushtetin lokal, me kryetarin e bashkisë, kanë arritur të gjejnë një sinergji të përbashkët e cila i sjell këtij komuniteti shumë më tepër biznes, shumë më tepër mirëqenie dhe padyshim shumë më tepër punësim“, tha ministri i Turizmi dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
E veçanta është se në këtë zonë mund të zhvillohet agroturizmi, një nga prioritetet e qeverisë, me qellim promovimin e produkteve bio, gatimeve tradicionale, por edhe për ta kthyer njeriun tek natyra përmes ofertës turistike gjithëvjetore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.