Shërbimi Veterinar futet në sistemin e “Inspektimit Online”, Hajdari: Garantohet transparencë dhe profesionalizëm
Kryeinpektori i Inspektoriatit Qendror, Shkëlqim Hajdari shpërndau dje Kartat e Inspektimit për Shërbimin Veterinar, inspektorët e të cilit kanë një rol kyç në sigurinë, lëvizjen dhe tregtimin e kafshëve, si dhe në sigurinë ushqimore në raport me produktet me origjinë shtazore.
Në takimin e zhvilluar dje ishin të pranishëm Kryeinspektori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë, Edi Ferro, së bashku me 13 kryeinspektorët e Shërbimit Veterinar në 13 drejtoritë rajonale të bujqësisë në rrethe.
Në takim u diskutuan prioritetet e punës së kësaj drejtorie, të inspektorateve përkatëse shtetërore, e të inspektoratit qendror, për formalizmin, disiplinimin dhe trajtimin e të të gjithë zinxhirit për produktet me origjinë shtazore, nën drejtimin metodologjik të Inspektoratit Qendror.
Pas takimit u ra dakord të krijohet një regjistër për të gjithë vendin, sa i takon matrikullimit të çdo kafshe, si dhe ndjekjen e gjurmimit të sëmundshmërisë së tyre. Gjithashtu u ra dakord që të kryhet kontrolli dhe formalizimi i farmacive bujqësore, të cilat trajtojnë barna e medikamente për kafshët e produktet me origjinë shtazore, si dhe u kërkua displinimi dhe formalizmi i transportit të kafshëve për prodhimin e produkteve e nënprodukteve të mishit.
Fillimisht, me integrimin e këtij inspektorati në portal, inspektorët e Drejtorisë së Shërbimit Veterinar do të kenë mundësinë për të kryer praktikën pranë ambienteve të tyre të punës me portalin për inspektimet online.
Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, krahas dhënies së kartave theksoi se inspektimet do të kryhen online për të garantuar transparencë dhe profesionalizëm, jashtë klientelizmit e ndikimeve politike, me synimin për ndryshimin njëherë e mire të historisë së trajtimit të kafshëve e produkteve me origjinë shtazore.
“Partneriteti biznes-inspektorat përmes inspektimeve online do të sjellë rezultate të prekshme për produkte me origjinë shtazore më të sigurta, si dhe për mjedise më të pastra e të sigurta ku trajtohen produktet me origjinë shtazore”, tha Hajdari.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.