Shifrat modeste të energjisë diellore/ Në 6 muaj u prodhuan 21 mijë Mwh, 0.35% e energjisë totale të gjeneruar
Rreth 21 mijë Mwh energji për 6-mujorin e parë të këtij viti u prodhuan nga impiantet fotovoltaike, duke shënuar rrtije në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku prej këtyre impianteve u prodhua 15,882 mwh energji.
Por, ndonëse sasia totale e prodhuar është në rritje, në raport me prodhimin total të energjisë, shifrat e këtij viti flasin për një ulje të peshës së energjisë diellore. Për periudhën janar-qershor të këtij viti energjia e prodhuar nga dielli përbën 0.35% të energjisë totale të prodhuar, ndërkohë që për të njëjtën periduhë të vitit të kaluar përbënte rreth 1% të saj. Kjo ulje shpjegohet me rritjen e ndjeshme prej 55%, që pësoi prodhimi total nga hidrocentralet gjatë 6-mujorit të parë të 2021-it.
Ndërkaq, sivjet asnjë impiant i ri nuk i është shtuar kapaciteteve prodhues nga dielli, teksa aktualisht, kapaciteti total i impanteve diellore të instaluar arrin në 21 MW, ndërkohë që ajo që pritet të sjellë një impakt të madh në këtë drejtim është pikërisht ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë, me një fuqi të instaluar prej 140 MW.
Por, ndonëse autoritetet kanë deklaruar disa herë se nisja e punimeve për këtë park është gati, në terren edne nuk ka ndonjë zhvillim konkret. Paralelisht, është finalizuar edhe ankandi për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Spitallë, që do të ketë një fuqi të instaluar prej 100 MW.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.