Shkelen masat ‘anti’ Covid/ Policia gjobit 262 shtetas, 41 shoferëve iu hiqet patenta
Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19, ndërkohë që 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Po ashtu, në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 262 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Gjithashtu, është dënuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi O. A., banues në Lushnjë, pasi ka ardhur nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit, duke dalë jashtë ambienteve të banesës.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 6 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 5 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.