Shkurti rikthen rritjen e çmimeve – Inflacioni ngjitet në 1.1%, nga 0.4% në janar, ushqimet u shtrenjtuan me 3.4%
Norma e inflacionit është ngjitur pranë 1.1% gjatë muajit shkurt, tregojnë shifrat zyrtare, duke larguar kështu kërcënimet deflacioniste të muajit të parë të vitit, kur fiksohej në 0.4%. një vit më parë, norma e inflacionit gjatë shkurtit fiksohej në 1.2%. Edhe në terma mujorë, krahasuar me janarin e këtij viti, rritja e çmimeve të konsumit gjatë shkurtit fiksohet në 1.1%. Kontributin më të madh në rritjen e çmimeve gjatë shkurtit e ka dhënë thuajse ekskluzivisht grupimi “ushqime dhe pije jo-alkoolike”, me 1.06 pikë përqindje. Grupimet e tjera, me përjashtim të transportit, kanë dhënë një kontribut minimal në ndryshimin e indeksit të çmimeve të konsumit gjatë muajit shkurt.
Sa i përket ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, shifrat zyrtare tregojnë se gjatë shkurtit, kanë qenë 3.2% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Vetëm grupimi i “veshje dhe këpucë”. si dhe transporti regjistrojnë rënie të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Brenda grupimit të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ndërkohë”, ushqimet janë shtrentuar me 3.4%, nga 2.2% që ishte shtrenjtimi një viti më parë, ndërkohë që bie në sy rritja e çmimit të frutave me 4.6% krahasuar me 12 muaj më parë. Gjithsesi, kjo rritje prej 4.6% është ndjeshëm më e ulët se muajt paraardhës, apo edhe shkurti i 2020-ës, ku ishte gati 20%. Rritje të ndjeshme, me 3.8% regjistron edhe peshku.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.