Shpenzimet në fushatë/ Këtë herë do të raportojnë edhe kandidatët për kryebashkiakë dhe jo vetëm partitë
“Financimi i partive politike është çështje e ndjeshmërisë më të lartë dhe tani që jemi në prag të fushatës zgjedhore, do të ketë vemendje të shtuar, ndaj dhe ne duhet të punojmë akoma më shumë”.
Ka qenë kjo deklarata e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri në tryezën “Trajnimi i trajnerëve, raportimi financiar nga kandidatët për kryetarë të njësive të qeverisjes vendore për fushatën zgjedhore 2019”
Në fjalën e tij, Zguri theksoi se transparenca e financimit të partive është kusht për zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë, ndërkohë që mungesa e saj është ftesë për disbalancimin e fushatës, për orientimin e aktorëve drejt taktikave elektorale të paligjshme, drejt shitblerjes së votës, drejt prishjes së administrimit zgjedhor, drejt manipulimit të rezultateve.
“Mungesa e transparencës për financat dhe shpenzimet e partive politike nënkupton korrupsion në financim. Dhe korrupsioni në financimin e partive politike është një një nga çeshtjet me kritike në demokracitë e sotme. Abuzimi në financim është kapje e partive politike, e udhëheqjeve të tyre e si rrjedhojë e qeverisjes së nesërme. Për ta reduktuar këtë fenomen, është i rëndësishëm kontrolli dhe monitorimi para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës zgjedhore” tha kreu i KQZ-së.
Në vijim të fjalës së tij, ai evidentoi se partitë politike në Shqipëri vijojnë të jenë të mbyllura për publikun dhe hermetike për transparencën dhe llogaridhënien publike.
I vetmi informacion për publikun është ai që mundëson Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në këto kushte, kreu i KQZ-së kërkoi që shoqëria civile dhe media në rolin e auditit social të mos rrinë indiferente në monitorimin e financimit politik.
“Ndryshimet ligjore të vitit 2017 kanë sjellë përmirësim të transparencës së financave të partive politike, por jo transparencë të plotë. KQZ ka punuar intensivisht me ekspertët më të mirë ndërkombëtar, për studimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, metodologjisë së duhur për tu përshtatur dhe aplikuar në vendin tonë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arriti, pas një punë intensive me ekspertët e NDI, të plotësojë paketën ligjore të financimit duke miratuar tre akte të rëndësishme nënligjore. – Një “Për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore”;
– Një “Për miratimin e formateve të standartizuara të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik, për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore;
– dhe një “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.
Të tre aktet, me të cilat ju do të njiheni sot në mënyrë të detajuar, i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencën financiare të fushatave. Si të tilla, ato marrin rëndësi të veçantë, sepse përfaqësojnë një copë të mirëfilltë reforme, në një kohë kur politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizhmëria.
Në këtë proces zgjedhor, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim” tha Zguri.
Kreu i KQZ-së shprehu bindjen se këto zgjedhje do shënojnë përmirësim në fushën e transparencës financiare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.