Shqipëria në BE, Ruçi: Gjermania, partnere strategjike dhe nxitëse e proceseve integruese
“Gjermania është partnere strategjike dhe nxitëse e proceseve integruese të Shqipërisë”. Kështu u shpreh Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, gjatë një takimi me një delegacion të Komisionit të Ligjeve dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, Stephan Brandner.
“Ne vlerësojmë rolin e Gjermanisë si një partner strategjik, burim lidershipi dhe nxitëse e proceseve integruese në Ballkan, edhe në kuadër të Procesit të Berlinit”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Më tej Ruçi e njohu delegacionin gjerman me rezultatet më të fundit në procesin e reformave të Shqipërisë, me fokus integrimin ne BE. Në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se komisioni ka përgatitur projektin e reformës, por për këtë kërkohet që partitë të afrohen në qëndrimet e njëra-tjetrës.
Në përgjigje të interesimit të deputetëve gjermanë mbi ecurinë e procesit të integrimit, reformën në drejtësi, pastërtinë e figurës së deputetit, procesin e vetingut dhe reformën zgjedhore, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se deputetet e Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë në institucionet përkatëse të ardhurat e tyre si edhe i nënshtrohen kërkesave e standardeve të ligjit për integritetin e figurës së të zgjedhurve.
“Shqipëria ka aktualisht një kuadër të plotë ligjor dhe institucional për vetingun e politikanëve. Megjithatë, Kuvendi e ka konsideruar dhe po organizon disa seanca dëgjimore për projektligjin e propozuar nga opozita për vetingun e politikanëve dhe ia kemi përcjellë për mendim Komisionit të Venecias”, u shpreh Kryetari i Kuvendit Ruçi.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.