Shqipëria, “pro” pabarazisë – Oxfam: S`e lufton fenomenin, taksat “rëndon” blerësit, jo shitësit
Shqipëria është një ndër 10 vendet më të këqija në botë sa i përket angazhimit në luftën kundër pabarazisë. Këtë e thotë Oxfam, që është një ndër organizatat më me zë në botë sa i përket luftës kundër varfërisë.
Për këtë arsye, Oxfam ka publikuar një raport, ku në analizë merr 152 shtete dhe që mban titullin: “Indeksi i angazhimit të reduktimit të pabarazisë”, ose shkurt indeksi CRI.
Në këtë indeks, Shqipëria renditet e 149-ta në botë, në listën me 10 vendet më të dobëta, duke u pozicionuar krah vendeve si Mianmari, Butani, Afganistani, Timori Lindor, Nigeria, apo Bahreini.
Ky indeks përpilohet mbi bazën e tre nën-indikatorëve. Në njërin prej tyre, Shqipëria renditet e fundit në botë, në vendin e 152. Ky nën-indikator i referohet strukturës progresive dhe incidencës së taksave.
Me renditjen në vendin e fundit në botë, incidenca e taksave, sinjalizon se, në Shqipëri barra e taksave bie mbi blerësin dhe jo mbi shitësin, e në këtë drejtim çdo vend tjetër i botës është më mirë se Shqipëria.
Sa i përket tregut të punës dhe adresimit të pabarazisë, Shqipëria renditet e 59-ta në botë. Sa i përket nën-indikatorit që i referohet shpenzimeve në shëndetësi, arsim dhe mbrojtjen sociale, Shqipëria ështe e 87-ta në botë.
Në nivel global, Suedia mban vendin e parë, ndërkohë që të dhjetë vendet e para mbahen nga shtete europiane, çka nënvizon jo vetëm distancën e madhe që ka Europa me vendet e tjera të botës sa i përket mirëqenies, por së pari nënvizon distancën e largët të Shqipërisë me Europën.
Ky indikator mat vetëm angazhimin e qeverisë në luftën ndaj pabarazisë, dhe ka një lidhje të ngushtë me pabarazinë reale në një vend.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.