Si do të paguhen fermerët? – “Humbasin” prodhuesit, zyrtarizohet kompensimi 6 %
Pavarësisht kundërshtive të mëdha dhe shpresës se ulja e kompensimit në masën 6 për qind në fund të vitit të kaluar do të rishikohej nga ana e Ministrisë së Financave, kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por është zyrtarizuar edhe udhëzimi përkatës se si do të funksionojë skema. Udhëzimi i botuar në Fletoren Zyrtare, sqaron se në të gjitha rastet e parashikuara në ligjin e vjetër, masa e kompensimit 20 për qind zëvendësohet me 6 për qind. Por si do ti marrin fermerët paratë? Për këtë jepet një shembull.
Një fermer, i identifikuar si individi “A.B”., i cili ushtron veprimtari si prodhues bujqësor në vreshtari dhe kultivon e prodhon rrush, ja shet këtë produkt shoqërisë “X”, e cila prodhon verë dhe është e regjistruar si person i tatueshëm për TVSH-në. Fermeri “A.B.” i shet shoqërisë “X” rrushin për një vlerë 30.000 lekë ku përfshihen të gjitha kostot e prodhimit, puna e gjallë dhe fitimi i fermerit. Shoqëria X i detyrohet fermerit A.B. për vlerën e furnizimit 30.000 lekë, plus normën e kompensimit 6 % ose 1.800 lekë.
Pra, shuma gjithsej që shoqëria “X” do i paguajë fermerit “A.B.”, është 30.000 + 1.800 = 31.800 lekë. Fermerët që duan të përfitojnë nga skema e kompensimit duhet të jenë patjetër të pajisur me NIPT. Këtë shumë të kompensuar, shoqëria “X” e merr përsëri nga TVSH-ja që llogarit për shitjen e verës si person i tatueshëm që është, nëpërmjet mekanizmit të kreditimit të TVSH-së. Agrobizneset kanë kundërshtuar këtë iniciativë duke thënë se iu sjellë një kosto prej 100 milionë eurosh në vit, si dhe do të rrisë importin dhe do të ulë konkurrueshmërinë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.