Siguria kibernetike, Gjolleshi: Fokusi, gjenerimi i vendeve të reja të punës
Gjenerimi i vendeve të reja të punës ka qenë në fokus të konferencës studentore lidhur me sigurinë kibernetike, si një ndër fushat më sensitive kohët e fundit.
Sipas drejtoreshës së Autoriteti Kombëtar për Çështjet Elektronike, Edlira Gjolleshi po synohet angazhimi i sa më shumë të rinjve në këtë sektor, të cilët gjenerojnë ide. Gjolleshi theksoi se për herë të parë në 2 korrik hapet në Shqipëri “Albania Cyber Academy” që u jep mundësi të rinjve të demonstrojnë dijet e tyre në fushën e sigurisë kibernetike.
Ndërkohë, që për këtë kanë garuar me punime e tyre 40 studente, ku janë shpallur fitues 4 prej tyre që do të shpërblehen me bursa studimi. Në janar të 2017 hyri në fuqi ligji për sigurinë kibernetike në vendin tonë, me anë të të cilit identifikohen infrastrukturat kritike të informacionit e përcaktohen protokollet e mbrojtjes si dhe ndjekjes së shkeljeve.
Më herët ministrja e Inovacionit Harito është shprehur se Shqipëria me Tregun unik dixhital, tashmë bën pjesë në tregun europian të informatizimit të shërbimeve, ku përfitimet llogariten të jenë për 5 vitet e ardhshme në mbi 250 miliardë Euro si dhe rreth 1 milionë vende të reja pune.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.