Siguria ushqimore – Peleshi: Tërhiqni nga raftet produktet jashtë standardeve. Do të bëhet kontroll i dyfishtë
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi ka zhvilluar sot një takim me operatorë të mishit dhe të qumështit në kuadër të forcimit të standardeve të sigurisë ushqimore, me fokus inspektimin në distancë të AKU-së. I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtori i Autoriteti Kombëtar të Ushqimit Agim Ismaili.
Peleshi vuri theksin te siguria ushqimore, një fushë e cila sipas tij nuk bën kompromise, duke e lidhur këtë edhe me standardet që kërkon Bashkimi Europian.
Më tej, duke falënderuar emisionet investigative, shtoi se është rritur ndjeshëm ndërgjegjësimi i qytetarëve, kryesisht lidhur me datën e skadencës. Për këtë të fundit, Pelshi tha se po hartojmë edhe një VKM të veçantë, të re për etiketimin.
Në kuadër të inspektimit në distancë, AKU ka filluar të aplikojnë vetëkontrollin duke iu dërguar subjekteve një check list në mënyrë që të kontrollojnë nëse produktet e tyre janë brenda standardeve, gjë e cila sipas ministrit përkthehet në më pak kontrolle nga AKU.
“Duhet të raportoni ato që keni plotësuar dhe AKU do t’u certifikojë si biznes pa risk dhe kontrollet e AKU-së do të jenë më të pakta.”
Peleshi ka ftuar të gjitha subjektet që të tërheqin nga raftet produktet të cilat janë jashtë standardeve, pasi sipas tij kontrolli nuk do të bëhet në punishte, por në raftet e supermaketeve.
“Do tu bëjmë analizat jo vetëm në një laborator kombëtar, por kontroll të dyfishtë edhe të huaj edhe shqiptar dhe kush kapet do të paguajë kostot. Këtu nuk mund të tolerohet.”
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.