Sigurimi i vaksinës anti-Covid, MSH: “Qeveria miratoi angazhimin financiar përmes mekanizmit COVAX”
Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX, për të patur vaksinën e sigurt anti-covid, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Pyetur nga TV SCAN ky dikaster nuk bëri me dije sesa është vlera konkrete e këtij angazhimi financiar, ndërkohë që ministrja Ogerta Manastirliu, tha se përmes tij Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhë vaksinën më të sigurt.
“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”.
Deklaratat e ministres u bënë gjatë takimi me Komiteti I Ekspertëve të Imunizimit, pranë Institutit të Shëndetit Publik, teksa prof. Eduart Kakarriqi shpjegoi alternativat që ka Shqipëria për sigurimin e vaksinës anti-covid, në kohën kur ajo të jetë gati.
“Janë dy, marrëveshja e blerjes se përcaktuar dhe marrëveshja e blerjes opsionale, të cilën ne e përzgjodhëm si më të vlefshme për vendin tonë. Aktualisht janë ende në zhvillim e sipër një sërë vaksinash (rreth 200), por vetëm 20 prej të cilave janë në fazat e avancuara, pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e mekanizmit COVAX. Ne jemi plotësisht të gatshëm, në pritje, në mirëpritje të vaksinës kundër COVID19 në kuadër të COVAX”, tha prof. Kakarriqi.
“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar (i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH) që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, do të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullsisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesën e mbetur të dozave të kërkuara (nëse janë më shumë se sa 20%). Shqipëria është zyrtarisht pjesë e këtij mekanizmi, ku marrin pjesë 80 vende të Botës, ndërsa janë lënë të hapura disa kanale komunikimi me vendet e Bashkimit Europian.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.