Situata e zjarreve – EC: 9 vatra zjarri në 24 orët e fundit
Temperaturat e larta vijojnë të jenë të pranishme në të gjithë vendin duke bërë që dhe rreziku i zjarreve të jetë evident në çdo moment.
Emergjencat civile bëjnë të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra të reja zjarri, kryesisht në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Dibër.
Gjatë kësaj kohe flakët kanë shkrumbuar rreth 200 ha me pyje dhe pisha dhe qarku më i prekur nga zjarret gjatë orëve të fundit ka qenë Vlora.
Në fshatin Mavrovë, Selenicë zjarri ka djegur rreth 150 ha me shkurre dhe 300 rrënjë ulliri por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 40 zjarrfikës me 8 automjete, 40 forca ushtarake, si dhe helikopterë. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave të vëna në dispozicion.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.