Solidariteti i Tiranës për Korçën – Nisen kamionë me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me stafin e emergjencave dhe vullnetarë, u organizuan në një fushatë bamirësie për të mbledhur ndihma për banorët e prekur nga tërmetet në Korçë.
Në ditën e shenjtë të Fiter Bajramit, me qindra qytetarë u solidarizuan që në orët e para të mëngjesit, duke mbushur tre kamionë të mëdhenj me ushqime, veshmbathje, të cilët u nisën drejt Korçës, në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.
“Kemi vendosur që ta mbajmë stendën të hapur gjatë gjithë ditës. Njerëzit kanë festën e Bajramit, është një mundësi e mirë për sevap, për ndihmë dhe pak solidaritet, ndaj pasi mbarojnë ceremonitë, drekat apo të gjitha pritjet e përcjelljet në institucionet e besimit, secili mund të bëjë një ndalesë të vogël tek Bashkia e Tiranës dhe të japë kontributin e vet”, nënvizoi Veliaj.
Ndihma e Bashkisë së Tiranës nuk konsiston vetëm në pakot me ushqime dhe veshmbathje. Një grup emergjencash janë nisur drejt qytetit të Korçës për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate. Sipas Veliajt, një nga vendimet e para të Këshillit të ri Bashkiak, do të jetë një fond për ndërtimin e disa shtëpive në Korçë.
“Ndoshta nuk i ndërtojmë dot të gjitha, qeveria do të bëjë të vetën, Bashkia e Korçës po ashtu, por ne, si Bashki e Tiranës, duam të marrim një numër shtëpish që t’i ndërtojmë si dhuratë e qytetarëve të Tiranës. Do përgatisim një fond solidariteti për ndërtimin e shtëpive dhe besoj se do të jetë në nderin e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës, që t’i përgjigjemi jo vetëm me ndihmat personale, por edhe me një ndihmë institucionale”,
Ndihma do të vijojë edhe në ditët në vijim, si në ushqime dhe veshmbathje, ashtu edhe me grupe të shërbimit social dhe shëndetësor.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.