SPAK kërkon konfiskimin e pronave – Dërgohen në Gjykatën e Posaçme 11 kërkesa për marrjen e pasurive të krimit
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka depozituar në Gjykatë 11 kërkesat e para për konfiskimin e pasurive të konsideruara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në listë gjenden mjete luksoze, vila, deri edhe një resort i njohur.
Bëhet fjalë për emra të njohur të botës së krimit, të cilëve prej disa muajsh, Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularët e deklarimit të pasurive, për të provuar se ato nuk janë vënë përmes aktiviteteve kriminale.
Peronat të cilëve u janë dërguar formularët, kanë minimalisht 6 muaj afat që gjatë gjykimit në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit të sjellin prova për të justifikuar ligjshmërinë e pasurive.
Ndërkaq operacioni Forca e Ligjit vijon rregullisht t’u dërgojë personave të dënuar formularët për të justifikuar pasurinë. Ditën e mërkurë, OFL u ka kërkuar të dhëna për pasurinë 5 personave, 4 në Shkodër dhe një në Tepelenë. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.